TË FUNDIT

Kryetari i lëvizjes “Dashuri, besim, shpresë”, Nemanja Sharoviq, ka thënë sot se presidenti i Serbisë është pajtuar për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Politikani Sharoviq tha për agjencinë Beta se Vuçiq është pajtuar për pranimin e Kosovës në KiE me kusht që të formohet Asociacioni.

“Duke pranuar planin franko-gjerman dhe udhërrëfyesin e Ohrit, Vuçiq u pajtua për hyrjen e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është pasojë logjike e politikës së Vuçiqit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. “Ajo që po bën Vuçiq sot është vetëm kontroll i dëmit mediatik, sepse për shkak të marrëveshjes së Serbisë, pranimi i Kosovës në KiE u përkrah edhe nga vendet që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës”, ka vlerësuar Sharoviq.

Ai ka thënë se në Këshillin e Evropës Serbia “ka rënë” në katër vota (dy nga Serbia dhe nga një nga Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi) dhe se nuk mund të pengohet pranimi i Kosovës në atë organizatë.

“Vuçiq ka përgjegjësinë më të madhe për pranimin e Kosovës në KiE, sepse ua ka premtuar shefave të tij nga Perëndimi. Që nga viti 2012, ai në vazhdimësi ka zbatuar politikën e tradhtisë së interesave kombëtare serbe dhe heqjes dorë nga autoriteti shtetëror në Kosovë e Metohi. Vuçiqit i intereson vetëm se si ta ruajë pushtetin e tij, ndërkohë që serbët në Kosovë janë krejtësisht të harruar për të”, ka thënë Sharoviq.

Ai shtoi se edhe gjashtë muaj pas ngjarjeve tragjike në Banjskë, Vuçiq asnjëherë nuk i përmendi të rinjtë që vdiqën, si dhe familjet që emigruan nga Kosova.

Vuçiq nuk e përmend as përgjegjësinë e atyre që udhëhoqën operacionin “Banjska”, dhe natyrisht nuk mundet sepse ai ishte komandanti i atij aksioni tragjik që i shkaktoi Serbisë dëme të pamatshme”, theksoi Sharoviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar sot Qeverinë e Serbisë që të formojë një ekip që do të udhëheqë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pasi vendimi vendimtar për këtë pritet në maj.

“Përkundër përkrahësve të fortë të pavarësisë së Prishtinës, unë ende mendoj se kemi një shans të vogël dhe për këtë arsye ju kërkoj të luftoni më fort se kurrë. Nuk dua të jem i pakëndshëm para kamerave, vetëm ju kërkoj që t’i përkushtoheni”, tha Vuçiq në një seancë speciale të Qeverisë së Serbisë.

Ai shtoi se kjo është e një rëndësie vendimtare për Serbinë.

Është e mundur që disa vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të mos jenë pozitive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiq.

Share: