TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak-ut, ka theksuar se Kosova është pajtuar me një propozim që e ka nxjerrë ndërmjetësi Lajçak, për dinarin serb.

Ai tha se Serbia nuk ishte e gatshme të bënte kompromis.

“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë.

“Pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha”, tha fillimisht Bislimi .

Po ashtu, Bislimi tha se pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia.

“Pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të përfshira”, u shpreh Bislimi.

Share: