Në superlativin më të madh për veten dhe qeverisjen e vet iu drejtua Lëvizjes Vetëvendosje kryetari i saj, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku rikapitulloi tërë atë të cilës ia kemi mësuar përmendësh edhe sintaksën përveç përmbajtjes.
“Tash e tri vjet qytetari ndjen që qeveria nuk e vjedh atë”, tha Kurti, teksa vazhdoi të thotë se “sot kemi më shumë qytetarë që kthehen (në Kosovë) se sa që shkojnë”; por duke mos cituar asnjë matje, shifër, apo të dhënë për të mbështetur një pohim të tillë kaq grandioz.
Por aty ku pati çka të citojë, Kurti citoi: ndonëse selektivisht, pjesshëm, dhe përdredhshëm pjesët e parapëlqyera; ndërsa raportet që pikturojnë tablo negative për qeverisjen e vet, gjendjen e sigurisë në vend, dhe atribuimet që i bëhen atij në ato raporte: jo.
“Në 3 vite qeverisje jemi ngritur për 22 vende në lirinë e medias, 21 vende në luftën kundër korrupsionit, 16 vende në demokracinë liberale dhe 13 vende në demokracinë elektorale. Në liritë globale, të drejtat politike e liritë civile jemi ngritur për gjashtë vende. Jemi të parët në rajon në Indeksin e Sundimit të Ligjit. Këto arritje janë meritë e përbashkët”, tha Kurti.
Ndonëse Kosova nuk ka arritur të dal nga trendi thuajse uniform i rritjes ekonomike qe dhjetëra vite, për Kurtin s’është kështu., por e kundërta, transmeton nacionale.
“Është rritur buxheti për komunat, është rritur buxheti për shëndetësinë. Pesë klinika janë në rinovim. Kemi shtuar shërbime e riparime të neglizhuara me dekada. Po rregullojmë infrastrukturën për shëndetësi. Mbi 200 milionë janë ndarë më shumë për fermerët, dhe janë rritur subvencionet. Në energji po kryejmë investime që për dekada kanë sjellur ndotje të ajrit”.
Duke folur për pikëkthesën spontane që bëri në raport me tokat e Manastirit të Deçanit – për çka hiç më larg se gjatë kësaj qeverisje zotohej se vendime të tilla “nuk kanë vend në shekullin 21, për shkak se të Millosheviqit” – Kurti tha se ishte “parakusht i pakompromist i KiE-së” dhe “i paevitueshëm”.
“Më 13 mars morëm nëj vendim shumë të vështirë e megjithatë vazhdojmë të besojmë të paevitueshëm. Në kuadër të anëtarësimit të Kosovës në KiE, procesi ishte bllokuar nga akterët për shkak se Kosovës i ishin vënë tri parakushte, parasë procesi të përparonte më tutje. Si rezultat i lobimit të institucioneve tona, për çka e falënderojë MPJD-në, u arrit që nga këto 3 kushte, avancimi të sigurohet me vetëm një parakusht: zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin”, tha Kurti.
“Sado që ishte vendim i padrejtë e çuditshëm, dakordimi ishte arritur mes raportuesve politikë dhe tri grupe politike në Asamblenë Parlamentare. Në anën tjetër, pas shqyrtimeve të gjata juridike u siguruam që ky rast nuk përbën precendent dhe nuk kishte mjet legal për ta kontestuar. Sot gjendemi në situatë më të favorshme në këtë proces, raporti i Baokyanis njeh plotësimin e të gjitha kushteve, dhe qartë thotë se të tjera zotime duhet të përmbushen pas anëtarësimit. Pas dy ditësh do ta kemi votimin më të rëndësishëm. Asambleja pritet ta miratojë raportin e Baokyanis pa asnjë kusht shtesë, dhe pa fusnotë”, shtoi ai.