Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e ka shpallur në kërkim Faton Hajrizin, i cili dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër.
Lajmi është bërë i ditur në njoftimin për media, nga kjo ministri.
“Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, janë duke kërkuar intensivisht për Faton Hajrizin, i cili dyshohet për vrasjen e policit Nikolla Kërsmanoviç dhe plagosjen e policit Vjekoslav Iliç natën e kaluar në Lipniçki Sor”, thuhet në njoftim.
Ata kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për informacion rreth tij dhe kanë publikuar edhe fotografinë e tij.
“Ftojmë qytetarët të lajmërojnë menjëherë policinë në numrin 192 ose të kontaktojnë komisariatin më të afërt nëse e vërejnë personin në foto ose kanë informacion për lëvizjet e tij”, kanë thënë nga MPB-ja serbe.
Ndryshe, disa javë pas arratisjes spektakolare – të nëntën me radhë – nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë, Faton Hajrizi, tani është bërë personi më i përfolur në rajon.
Në orët e para të së enjtes (00:55), në Lozincë të Serbisë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – Hajrizi dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër.
Vrasja ka ndodhur kur zyrtarët policorë serbë kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, pasi e kanë ndaluar një veturë të tipit Mercedes, ku dyshohet se ka qenë Hajrizi.
Siç raportohet për ngjarjen, njëri prej personave, që dyshohet të jetë Hajrizi, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviç në gjoks dhe zyrtarin policor Iliç Vjekosllav në shpatull dhe më pas ka ikur.
Më pas, të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Lozninës, derisa Kërsmanoviç ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.
Pas kësaj ngjarje, forca të shumta policie u panë nëpër rrugët e Loznicës dhe në një perimetër më të gjerë në kërkim të të dyshuarit për vrasjen e policit serb – i cili vazhdon të jetë në arrati.
Po ashtu, janë vendosur postblloqe nëpër rrugë të ndryshme që të bëhet i mundur lokalizimi i të dyshuarit.