TË FUNDIT

Babi i një prej pengjeve të liruara nga duart e Hamasit vdiq vetëm disa orë përpara se të mund të shihte të birin, Almog Meir Jan, t’i kthehej në shtëpi.

21-vjeçari, së bashku me Noa Argamani, 26, Andrey Kozlov, 27 dhe Shlomi Ziv, 40 u shpëtuan të shtunën gjatë një operacioni të Izraelit në kampin Nuseirat, Gaza.

“Vëllai im vdiq nga pikëllimi dhe nuk mund ta shihte të birin t’i kthehej. Një natë përpara se Almog të kthehej, zemra e tim vëllai ndaloi,”tha halla e të riut, Dina Jan për mediat të dielën.

“Jemi shumë të lumtur për kthimin e Almog-ut, por e kemi të pamundur ta procesojmë gjithë këtë që ka ndodhur deri në fund. Jemi të shkatërruar,” tha ajo, duke shpjeguar si i vëllai jetonte i vetëm në Kfar Saba.

“Yossi, vëllai im, ndenji ngjitur pas televizorit për tetë muaj me radhë, duke marrë çdo lloj informacioni…Nuk e përballoi dot, pas çdo marrëveshje që nuk arrihej, zemra e tij thyhej.”

Katër pengjet e liruara së fundmi nga ushtria izraelite u rrëmbyen nga festivali i muzikës Supernova, mëngjesin e 7 tetorit. /A2CNN

Share: