TË FUNDIT

Ukraina është e gatshme t’i lërë “de fakto” 20% të territorit të saj Vladimir Putinit, sipas burimeve nga The New York Post.

Të paktën kështu pohojnë burimet e gazetës së njohur amerikane: “De facto do të thotë se ne e pranojmë se rusët e pushtojnë këtë tokë, por Ukraina nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ajo përgjithmonë. De jure do të thotë se ne pranojmë që Rusia ta marrë këtë tokë dhe ne nuk do ta shohim më kurrë”.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës i tha palës amerikane se Kievi është “90%” i gatshëm të pranojë kushtet e propozuara, sipas burimeve të botimit.

Donald Trump nga ana tjetër ka premtuar se do të prezantojë detajet e planit të tij të paqes në tre ditët e ardhshme.

Për herë të parë në vite ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë se është i hapur për bisedime dypalëshe me Ukrainën.

Më parë ai ka kërkuar që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të zëvendësohej përpara se kjo të ndodhte.

Duke folur për televizionin shtetëror rus, Putin ka bërë me dije se “ne kemi folur gjithmonë për këtë, se kemi një qëndrim pozitiv ndaj çdo nisme paqësore”.

“Shpresojmë që përfaqësuesit e regjimit të Kievit të ndihen në të njëjtën mënyrë”, ka shtuar ai.

Por komentet e tij u pasuan nga forcat ruse që nisën një sulm masiv me dron gjatë natës në qytetin port të Ukrainës në Detin e Zi, Odesa.

Ky sulm i fundit, sipas zyrtarëve lokalë, plagosi tre persona dhe dëmtoi shumë ndërtesa banimi.

“Armiku shënjestroi një zonë banimi në një lagje me popullsi të dendur të Odesa”, ka njoftuar kryebashkiaku Hennadiy Trukhanov në një postim në Telegram.

Ndryshimi i retorikës së Putin-it për bisedimet e armëpushimit ka ardhur teksa përfaqësues nga Ukraina, Britania e Madhe, Franca dhe SHBA-të do të takohen nesër në Londër për të biseduar për një marrëveshje të mundshme armëpushimi.

Zelensky, nën presionin e Washington-it për të rënë dakord për një lloj marrëveshjeje ose për të tërhequr mbështetjen potenciale, ka thënë se bisedimet në Londër “kanë një detyrë kryesore: të nxisin për një armëpushim të pakushtëzuar”.

“Kjo duhet të jetë pika fillestare”, sipas tij.

Share: