Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Siç raporton Indeksonline, Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani janë të arrestuarit gjatë ditës së sotme për bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA). Ata janë ndaluar për 48-orë, tha sot Prokuroria Speciale e Kosovës.
BEDRI SHABANI
Në një njoftim për media, Prokuroria Speciale konfirmoi operacionin e zhvilluar në bashkëpunim me Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës që rezultoi me arrestimin e dy spiunëve të dyshuar.
Prokuroria tha se dy të dyshuarit e ndaluar kanë nënshtetësi kosovare.
MUHARREM QERIMI
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, tha Prokuroria.
Ditëve në vijim, Prokuroria Speciale tha se do të ndërmarrë hapa të tjerë hetimorë lidhur me këtë çështje.
Siç mësohet nga burimet mirë të informuara, njëri nga të arrestuarit është babai i gazetarit të njohur kosovar (Z.Sh)
SQARIM:
Për shkak se ende zyrtarisht nuk ka konfirmim, për të ruajtur etikën gazetareske, Portali Viral Shqip s’do ta publikoj emrin e gazetarit. Personat e apostrofuar në tekst, ende nuk janë shpallur fajtor nga Gjykata, momentalisht janë vetëm të dyshuar.