Prishtinë – Tensionet politike në Kuvendin e Kosovës janë rritur, pasi sot u ndërpre papritmas seanca konstituive nga kryesuesi i përkohshëm nga radhët e Vetëvendosjes, pavarësisht faktit se në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë dhe kishte kuorum për të vazhduar me procedurat.
Sipas procedurave të përcaktuara me Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, një akt procedural kalon me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm – në këtë rast, mjaftonin 51 vota, ndërkohë që në sallë thuhet se ishin 52 vota ‘pro’ të siguruara nga radhët e VV-së dhe Nismës.
Megjithatë, përkundër kësaj, kryesuesi i seancës vendosi ta ndërpresë atë, duke ngritur dyshime për qëllim të vonesave të qëllimshme dhe shkelje të mundshme të rregullave ligjore.
Opozita dhe analistët kanë reaguar duke akuzuar Vetëvendosjen për pengim të procesit demokratik dhe përpjekje për ta shmangur votimin për kryetarin e Kuvendit, pasi – sipas tyre – nuk i kanë numrat për ta formuar shumicën parlamentare dhe për të zgjedhur qeverinë e re.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa palët pritet të dalin me deklarata dhe qëndrime zyrtare lidhur me rrjedhën e mëtejshme të procesit të konstituimit të institucioneve.