Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të miturit R.B., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje – vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika.
R. B., ishte dënuar nga Gjykata e Ferizajt me dy vite me masë institucionale për veprën penale të dhunimit.
E këtë dënim e ka konfirmuar edhe Gjykata e Ferizajt.
“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se i dyshuari i mitur për rastin në fjalë të veprës penale ‘Vrasja e rëndë’ për të cilën gjykata ka lëshuar komunikatë për media dhe ju ka njoftuar se gjyqtari i çështjes ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, ka në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale në kohëzgjatje prej dy vite për veprën penale dhunimi për të cilën ka të lëshuar urdhër arrest”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës se Ferizajt për Kallxo.com.
I dyshuari që u arrestua sot nën dyshimet se kreu vrasjen e rreshterit policor dyshohet se veprën e dhunimit e kishte kryer para moshës 16 vjeçare.
Pas vendimit për masë institucionale i dënuari nuk i ishte përgjigjur vendimit ndërsa ndaj të njëjtit kishte urdhërarrest aktiv, siç raporton Kallxo, edhe gjatë kohës sa u planifikua e u ekzekutua vrasja.
Për këtë arsye ndaj të njëjtit ishte lëshuar edhe një urdhërarrest zbatimin e të cilit ishte e obliguar ta bënte Policia e Kosovës.