Gjuha linçuese e Lëvizjes Vetëvendosje dhe eksponentëve të saj ndaj kompanisë “Devolli” dhe sipërmarrësit të njohur kosovar, Shkëlqim Devolli, si dhe thirrjet për bojkotimin e produkteve vendore, janë kritikuar ashpër sot. Politikanë, gazetarë dhe analistë e kanë dënuar ashpër qasjen e VV-së ndaj një ekonomie tashmë të rënduar, si dhe ndaj mijëra qytetarëve që punësohen në këtë kompani dhe paguajnë tatime.
Deklaratat e sotme janë vlerësuar si shumë të rënda, me qëllim për ta dëmtuar Kosovën, shto faktin që ndaj aleatit më të madh të vendit, SHBA-së ka taksë prej 10% në fuqi, 100% ndaj prodhimeve vendore – por jo edhe ndaj Serbisë.
Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi reagoi ashpër, duke thënë që është shumë më e arsyeshme të bojkotohet një parti politike sesa ekonomia që mban shtetin.
Ai tha se VV nuk mund t’i kamuflojë dështimet me dogma të tilla nacionaliste, që sipas tij iu ka kaluar koha.
“100x ma mirë është me bojkotu një parti politike sesa ekonominë e vendit, ata që e mbajnë këtë shtet gjallë. Një parti që godet bizneset vendore dhe ekonominë, është modeli më i keq i mundshëm. Dështimet në qeverisje dhe formimin e institucioneve publike nuk munden asnjëherë me u kamuflu me dogma nacionaliste që tashmë ju ka kalu koha. Tash menjëherë do të shkoj dhe të blej edhe më shumë produkte vendore!”.
Në një reagim tjetër, Muharremi tha se derisa çmimi i rrymës është rritur tri herë, inflacioni po i shkatërron bizneset vendore dhe fuqinë blerëse, VV ka fytyrë të tallet me ata që e mbajnë ekonominë e vendit.
Ai tha se këta politikanë do të bojkotohen, por kurrë ekonomia, transmeton Klankosova.tv.
“Kjo është përgjigjja: Bleni sa më shumë produkte vendore. Jo bojkot, por blerje edhe më shumë e produkteve vendore! Qumësht kosovar, birrë kosovare, miell, qepë, vezë, ujë… gjithçka që shofim në rafte të marketeve.
Një politikan tha me i bojkotu produktet tona, po ata po harrojnë që:
-Politikanët duhet me i ndru si pelenat e fëmijëve, sa më shpesh.
-Prodhuesit, fermerët, bizneset tona me i ruajt si si sytë e ballit!
Deficiti tregtar në mallra ka kalu 5 MILIARDË në vit. Gjysma e ekonomisë, financat, po na delin jashtë. Inflacioni po e shkatërron secilën ditë e më shumë fuqinë blerëse dhe bizneset vendore. Po gjeneron migrim dhe po e zbrazë vendin. Çmimi i rrymës është rritur tri herë.. ndërsa disa po kanë fytyrë me u tallë me bizneset, prodhuesit dhe ekonominë vendore.
Turp më të madh nuk ka. Por ne kemi me i bojkotu politikanët e tillë e kurrë në jetë ekonominë tonë.”.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Odës Ekonomike e Kosovës, që shprehu shqetësimin e saj për sulmet e vazhdueshme të eksponentëve të LVV-së dhe të qeverisë së deritanishme.
“Oda Ekonomike e Kosovës, duke qenë udhëheqëse e Odave të Ballkanit Perëndimor (ËB6), është në dijeni të kërkesave të vazhdueshme të shumë shteteve të rajonit që kompanitë Devolli të zhvendosin prodhimin dhe aktivitetin e tyre në shtetet e tyre. Përkundër ofertave joshëse, prapë se prapë Devolli ka zgjedhur gjithmonë të qëndrojë dhe kontribuojë për Republikën e Kosovës. Bravo Shkëlqim, bravo të gjithëve që mendojnë, punojnë dhe kontribuojnë si ai.”
Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, doli me reagim, duke thënë se qytetarët nuk janë në pozicion për të menduar për barkodët apo origjinën e produktit, për shkak të çmimeve të larta që janë aktualisht.
“Këta që sot luajnë rolin e patriotit, në katër vjet qeverisje nuk lanë asnjë shenjë pozitive për këtë vend. Nuk e forcuan shtetin, nuk i mbrojtën qytetarët, e nuk u treguan të sinqertë me askënd. Për katër vjet, taksat e qytetarëve i shpenzuan për lluks dhe blerje të votave”. Sepse për LVV-në sinonim i patriotizmit është Martin Berishaj & Co”.
Nëse janë patriotë siç pretendojnë, le t’u tregojnë qytetarëve se si ta refuzojnë energjinë elektrike që na vjen nga kompani fantome, herë të lidhura me Serbinë, herë të lidhura me mafinë”. – shkroi Bajrami.
Ndërsa deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, vlerësoi se thirrja e tyre për bojkotim produktesh, është thirrje për t’i lënë pa punë mbi 5 mijë familje të Kosovës, transmeton klankosova.tv.
”Të gjithë, nga Albin Kurti e deri te militanti i fundit i partisë që merrni pagë nga shteti, paguheni edhe me paratë e shitjes së produkteve të Devollëve.”
Ai tha se “Devollët, Kosovës çdo vit ia paguajnë direkt mbi 100 milionë euro tatim dhe punësojnë me mijëra qytetarë të Kosovës.
Thirrja për bojkotimin e produkteve të tyre është thirrje për t’i lënë pa punë mbi 5 mijë familje të Kosovës”.
Kurse gazetari Vehbi Kajtazi i quajti “të poshtër” anëtarët e VV-së.
“Këqyrni çka do me thanë me qenë i poshtër! Koka çu organizata më e dëmshme për Kosovën, Vetëvendosje me i sulmu sërish vëllezërit Devolli. E kush po e bën këtë?”, deklaroi Kajtazi.
Ai i renditi disa nga të bëmat e Vetëvendosjes përgjatë viteve.
“Këqyrni çka do me thanë me qenë i poshtër! Koka çu organizata më e dëmshme për Kosovën, Vetëvendosje me i sulmu sërish vëllezërit Devolli.”