TË FUNDIT

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur ministrit të Infrastrukturës, bashkëpartiakut të tij Liburn Aliu, i cili tha se partia që qeveris në Kosovë gaboi që e mbështeti publikisht Partinë për Veprim Demokratik në Luginën e Preshevës.

Kurti tha se LVV-ja i merr vendimet në organet e veta, ndërsa tha se ai tregon se kush duhet mbështetur edhe në BE e SHBA, “e lëre më në Ulqin e Preshevë”.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe i merr vendimet në organet e veta. Ne e kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, kanë qenë dy blloqe, dhe ne jemi përcaktuar për ta mbështetur aso kohe bllokun të cilit i ka prirë Shaip Kamberi”, tha Kurti para gazetarëve, kur iu kërkua koment për deklaratën e Aliut.

“Unë jam kryeministër i Republikës, por njëkohësisht edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ju e dini që unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë. Por, jo vetëm kaq”.

“Duhet theksuar se të gjitha partitë në Kosovë dhe në Shqipëri, në një mënyrë a një tjetër, kush më shumë e kush më pak, mbështesin parti të caktuara, por unë e bëj këtë hapur”.

Kurti tha se beson se kjo “është shumë mirë”.

Share: