TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë të premten se do të kërkojnë nga Gjermania ekstradimin e Artan Hajrizit, vëllait të Fatonit, i cili dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër të enjten.

Këto komente, Daçiç i ka bërë nga vendi ku vra nga policia serbe Faton Hajrizi, të premten.

“Vëllai i Fatonit gënjeu se Fatoni i kishte vjedhur dokumentet. Ai i dërgoi në Serbi”, pretendoi Daçiç, pasi që Artani ka deklaruar se i vëllai ia ka vjedhur dokumentet e tij.

Sa i pëket Faton Hazirit, kreu i MPB-së serbe ka deklaruar se është monitoruar me kamera për dy ditë dhe se “është konstatuar se ka vjedhur një biçikletë”.

“Ishte gati të vriste dikë tjetër, jo vetëm policët”, pretendoi Daçiç.

Çka ndodhi?

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se është likuiduar personi që vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër të enjten në Loznicë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – që dyshohet të jetë Faton Hajrizi.

“Pjesëtarët e policisë vranë vrasësin e një polici në afërsi të Loznicës”, tha Daçiç, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Në vendin e ngjarjes, siç raportojnë mediat serbe, ka dalë edhe vet Daçiç.

Gazeta serbe “Blic”, ka shkruar, duke u thirrur në burime të saja, se Faton Hajrizi ka tentuar që të kalojë lumin Drina dhe të arratiset në Bosnje e Hercegovinë, por nuk ia ka dalë.

Sipas kësaj gazete, Hajrizi është fshehur në një kompleks të braktisur fabrike, në të cilin thotë se prej vitesh fshihen emigrantët në pritjeje të një “lidhjeje” “për të ikur përtej Drinës.

Ndërsa, sipas medias tjetër serbe “Informer”, Faton Hajrizi ka qëlluar sërish në drejtim të policisë, për çka edhe ka mbetur i vrarë.

Edhe media tjetër serbe “Novosti” shkruan se Hajrizi u vra pasi i bëri rezistencë policisë.

Kjo medie raporton se pasi që MPB-ja serbe publikoi foton e të Hajrizit, njëri nga vendasit raportoi se kishte parë një person me atë përshkrim pranë ish-pompës së karburantit të Viskozës.

Pas kësaj, pjesëtarët të shumtë të MPB-së serbe bllokuan të gjithë zonën dhe rrugën “Drinska” dhe vranë Hajrizin.

Tanimë, mediat në Serbi kanë publikuar edhe fotografi të trupit të viktimës.

Lajmi për vrasjen e Faton Hajrizi, erdhi pak orë pasi që MPB-ja serbe e shpalli Hajrizin zyrtarisht në kërkim.

Share: