TË FUNDIT

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve për veprat penale ‘Privim i kundërligjshëm i lirisë’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Zëdhënësi i Gjykatës në Prizren, Marcel Lekaj, i tha Gazetës Online Reporteri se gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë aktvendim katër të dyshuarit – B.R., F.R., K.R. dhe B.R. – të dërgohen në paraburgim deri më 16 qershor 2024.

Sipas përgjigjes së Gjykatës, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht viktimën L.P., i cili kishte lënë takim me motrën e tyre në fshatin Landovicë të Prizrenit.

Të njëjtin po ashtu dyshohet se e kanë mbajtur të mbyllur në lokalin e tyre në Gjakovë, ku e transportuan me dhunë për “t’u takuar me babanë e tyre”.

Me datë 15 maj 2024, rreth orës 22:00 min, në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit, të pandehurit B.R., F.R., K.R., dhe B.R., (2), duke vepruar në grup, me dashje, e privojnë nga liria duke e mbajtur të mbyllur të dëmtuarin L.P:, në lokalin e tyre “……” në Gjakovë, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte lënë takimin tek “……” në fshatin Landovicë që të takohej me …….. vajza, përkatësisht motra e të pandehurve, e që për këtë të pandehurit nuk ishin të pajtimit, i dëmtuari pasi paraprakisht ndalet në market “……….” që të blenë disa gjera ushqimore, aty afrohen të pandehurit F.R., K.R., dhe B.R.(2) e ndalin dhe kërkojnë nga ai të hip në automjet që ta dërgojnë tek babai i tyre në Gjakovë, kur i dëmtuari refuzon dhe fillon të largohet, të pandehurit e ndjekin dhe e nxënë ku me forcë e fusin në automjet dhe nga aty nisen për në Gjakovë, ku gjatë tërë rrugës të pandehurit shajnë, ofendojnë dhe godasin të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit e pastaj me të arritur në Gjakovë, të dëmtuarin e fusin në lokalin e tyre “……….” ku aty paraqitet edhe i pandehuri B.R., (babai i tre të pandehurve më lartë) e që aty të dëmtuarin e ulin në tokë dhe gjatë kësaj kohe që të gjithë e godasin me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, ku më pas vjen policia dhe i arreston të pandehurit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Gazetën Online Reporteri.net.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga të dyshuarit, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Pos dhunës fizike, viktima gjatë gjithë kohës është përballur edhe me dhunë verbale.

Po ashtu me datë kohë dhe vend të njëjtë si më lartë, të pandehurit .R., F.R., K.R., dhe B.R., (2), në bashkëkryerje dhe me dashje i shkaktojnë lëndime trupore të dëmtuarit L.P:, në atë mënyrë që pasi të pandehurit F.R., K.R., dhe B.R., (2), me forcë e fusin në automjet të dëmtuarin, nga aty nisen për në Gjakovë, ku gjatë tërë rrugës të pandehurit shajnë, ofendojnë dhe godasin të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit e pastaj me të arritur në Gjakovë, të dëmtuarin e fusin në lokalin e tyre “………..” ku aty paraqitet edhe i pandehuri B.R., e që aty të dëmtuarin e ulin në tokë dhe që të gjithë e godasin me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, si rezultat i kësaj të dëmtuarit L.P:, i shkaktojnë lëndime trupore të përshkruara sipas raportit mjekësor”, njofton Gjykata.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprave penal të cilat iu ngarkohen të dyshuarve, andaj ekziston rreziku se me lënie në liri të njëjtit mund të fshihen apo të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Kujtojmë se rastin fillimisht e kishte konfirmuar Policia e Kosovës, të cilët kishin njoftuar se të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit.

Janë arrestuar katër të dyshuar kosovarë, nën dyshimin se të njëjtit pas një zënke e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar dhe të njëjtin me forcë e kanë futur në veturë dhe e kanë dërguar në një lokacion tjetër. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Share: