TË FUNDIT

Dy kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë dakorduar që të takohen sërish këtë të enjte për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit. 

Pavarësisht se takimi i tyre i fundit la për të dëshiruar, Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shprehet optimist se pas dy dite pritet të ketë një marrëveshje mes palëve për këtë çështje.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje zemëroi Serbinë dhe nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka theksuar se çështja e dinarit veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Për këtë, ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka ripërsëritur qëndrimin se janë luhatur raportet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës pas vendimit të Bankës Qendrore për dinarin serb. Ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja nuk mund ta konsiderojë partnere Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, nëse kjo e fundit nuk iu përgjigjet shqetësimeve amerikane.

Si e vlerësojnë analistët në Kosovë këtë çështje?

Analisti Halil Matoshi në një deklaratë për Periskopin vlerësoi se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje për një zgjidhje të shpejtë për çështjen e dinarit.

“Qeverisë së Kosovës po i mbaron koha, i duhet një lëvizje e shpejtë në drejtim të një zgjidhjeje për Dinarin serb si dhe së paku një hap përpara për Asociacionin, në këmbim te anëtarësimit në Këshillin e Europës”, tha Matoshi për Periskopin.

Analisti Visar Ymeri, ka thënë se çështja e dinarit e ka kthyer sërish fokusin dhe qortimin te Qeveria e Kosovës, ndërkohë që, sipas tij, trysnia do të duhej të ishte në Beograd.

Në emisionin “Debat Plus”, Ymeri ka theksuar se kjo çështje e bërë temë në Bruksel i ka shkaktuar dëm Kosovës.

“Në përgjithësi mendoj që përveç dëmit që kjo është bërë temë në Bruksel, por është edhe kjo sjellja e Qeverisë që po shkakton vonesa dhe pastaj po e humbim mundësinë për shkak të sjelljes dhe qasjes karshi ndërkombëtareve që me nxjerrë diçka më pozitive edhe kur ka një vesh e sy të interesuar ndërkombëtarisht për të dëgjuar pozicionin tonë. Qeveria e Kosovës vitin e kaluar i ka bërë disa veprime që nuk janë mirëpritur nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe të gjitha këto janë rikuperuar diplomatikisht me sulmin e Serbisë në Banjskë, dhe sulmi i Serbisë në Banjskë e ka kthyer simpatinë kah Kosova dhe gjykimin kah Serbia, a është bërë gjykimi që ne e kemi dashur? Jo. A është bërë njëlloj gjykimi që e përmendi edhe Escobar? Po”, thotë Ymeri.

Ai potencoi se duhet të ketë më shumë trysni ndaj presidentit Aleksandër Vuçiq nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Ky pozicion që e ka vendosur Vuçiqin goxha të vështirë ndërkombëtarisht për shkak të ndërlidhjes së tij me sulmin në Banjskë dhe pastaj për shkak të manipulimit të zgjedhjeve brenda, krejt kjo kritikë është keqpërdorur e jo mire përdorur nga Qeveria e Kosovës, sepse çështja e dinarit e ka kthyer prapë fokusin, qortimit, trysninë te Republika e Kosovës, ndërkohë që është dashur të jetë në Beograd…”, shtoi ai.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të akuzoi qeveritë e kaluara për këtë çështje.

Në një deklaratë për Periskopin, deputeti i VV-së Halil Thaçi tha se vendimi i BQK-së do duhej të zbatohej shumë më herët, por sipas tij Qeverive të kaluara nuk ju ka bërë përshtypje kjo pjesë.

“Vendimi i BQK për dinarin ka qenë dashtë të zbatohej shumë kohë më heret, por siq po shihet Qeverive të kaluara nuk ju ka bërë përshtypje as dinari e as sovraniteti në një pjesë të Republikës së Kosovës, atyre ju ka mjaftuar komoditeti në zyrat e tyre në Kryeqytet, deklaroi Thaçi.

Share: