Dinamo e Bukureshtit nënshkroi me portugezin Edgar Ié në shkurt të këtij viti dhe tre muaj më vonë është zbuluar se vëllai i tij binjak Edelino ishte në fakt në ekipin e tyre.
Në Rumani po hetojnë nëse futbollisti Edgar Ié e ka detyruar vëllain e tij binjak Edelin të luajë pesë ndeshje në vend të tij për Dinamon e Bukureshtit, e cila po lufton për mbijetesë.
Edgar Ié nënshkroi për Dinamon në shkurt, por mesa duket lojtari që mbërriti në Bukuresht ishte vëllai i tij binjak Edelino. Rasti i ndërrimit të identitetit u zbulua nga gazetari Daniel Sendre, i cili raportoi se Dinamo e Bukureshtit ishte befasuar sepse Edgar Ié nuk fliste mirë anglisht dhe komunikonte vetëm në portugalisht edhe pse ai më parë kishte luajtur në Spanjë, Francë, Turqi dhe Holandë.
“Më duket surreale. Fillova të telefonoj, të flas me miqtë e mi dhe lajmi është i vërtetë, nuk mund ta besoja. Askush nuk e mohoi. Mora vesh që ai ka një vëlla binjak që gjithashtu luan futboll”, tha Florin Prunea, ish-lojtar dhe ish-president i Dinamos.
Gazetari rumun Emanuel Rosu njoftoi se Dinamo i kërkoi të dyshuarit Edgar Ié të tregonte patentën e shoferit, të cilën ai e refuzoi ta bënte.
Nëse ndryshimi i identitetit konfirmohet zyrtarisht, Dinamo e Bukureshtit rrezikon të humbasë tetë pikët e fituara në pesë ndeshjet që Edelino luajti në vend të Edgar Ié.
Një burim nga Federata Rumune e Futbollit shpjegoi për iAMsport se nuk ka asnjë skenar të planifikuar për këtë situatë. Nëse lojtari që ka luajtur nuk është ai që është regjistruar, mund të ketë sanksione.