Kombëtarja shqiptare do të përballet nesër me Kroacinë, në një duel historik.
Të dy ekipet, të fundit në grupin B të EURO 2024, zbresin në fushë me zero pikë dhe dueli shihet si një përballje ‘jetë a vdekje’ për kalimin në raundin e dytë.
Kjo ndeshje do të vulosë fatin e një prej ekipeve për vijimin e rrugëtimit europian.
Kuqezinjtë u stërviten dje në tapetin e blertë për t’u bërë gati për ndeshjen e parë që zhvillohet mes dy vendeve, ndonëse dy shtete kanë marrëdhënie të mira dhe njëkohësisht janë edhe dy vende ballkanike.
Ndeshja luhet nesër në orën 15:00 në stadin e Hamburgut, ndërsa ekipi është nisur sot drejt këtij qyteti nga kampi i stërvitjes në Dortmund.
Ndërkohë, pasdite në 17:15 do të mbahet konferenca për shtyp e trajnerit Sylvinho dhe kapitenit të ekipit, Berat Gjimshti.
Pas konferencës, lojtarët e kombëtares do të zbresin sërish në fushë për stërvitjen e fundit para përballjes me Kroacinë. Stërvitja do të mbahet në stadiumin e St.Paulit dhe jo atë Hamburgut ku do të zhvillohet ndeshja, pasi UEFA ka merak gjendjen e fushës që të jetë mirë për ndeshjen e së nesërmes.
Trajneri i kuqezinjve, Sylvinho mendohet se do të bëjë vetëm një ndryshim në formacion.
Risia krahasuar me formacionin e ndeshjes me Italinë, pritet të jetë sulmuesi Arbër Hoxha në vend të Taulant Seferit.
Ndërkohë, pjesa tjetër pritet të jetë e njëjtë, në portë Strakosha, në mbrojtje Hysaj në të djathtë, si dhe Gjimshiti e Ajeti në qendër.
Në krahun e majtë Mitaj, ndërsa në mesfushë, Asllani, Ramadani dhe Bajrami.
Në sulm Hoxha do të vendoset në të majtë, ndërsa në të djathtë Asani dhe në majë Broja.
Asani deri më tani ishte në pikëpyetje për shkak të një lëndimi muskulor, por dje ai është stërvitur me grupin.
Një kontraktim të lehë pati edhe Mitaj, i cili dje u stërvit me këmbën e fashuar.
Por gjithsesi, për formacionin përfundimtar do të shihet gjendja e futbollistëve deri pak orë para ndeshjes.
57 mijë vende ka stadiumi “Volksparkstadion” në Hamburg, ku pritet sërish si në ndeshjen me Italinë që të dominojnë tifozët shqiptarë.
Gjykimi i ndeshjes do të jetë në dorën e një arbitri francez, François Letexier.