Takimet e rregullta të të hënave në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, raportohet se ka kohë që nuk po mbahen.
Një sekuencë e para katër muajve, do ta shfaqte një përplasje verbale dhe vizive në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani dhe do ta çonte një hap më tutje diskutimin në publik rreth raporteve mes dyshes.
Por, dyshja në atë kohë, ishte nxjerrë me arsyetimin se diskutimi i përjetuar si përpasje në publik, kishte të bënte me një ligj. Dhe këtu, do të përfundonte muhabeti brenda pak ditësh rreth asaj se a ishte ‘përmbajtja e përplasjes’ mes tyre – përtej një ligji – apo jo.
Sidoqoftë, katër muaj më vonë prej kësaj pamje, kanë ndodhur shumë zhvillime e mes tyre, edhe mungesa e takimeve të rregullta në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, që mbahej zakonisht çdo të hënë të javës, raporton mediumi Nacionale.
Për të kuptuar pse nuk po mbahen këto takime të rregullta mes Kurtit dhe Osmanit, na bën të kthehemi në një zhvillim kronologjik të disa prej ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në vend, e ku zë vend në veçanti – raporti turbulent në mes të Kosovës dhe Aleatëve, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E, Shetet e Bashkuara të Amerikës, janë vendi kryesor aleat i Kosovës, që kanë dërguar sinjalet më të qarta deri tani, se adresë e tyre e komunikimit është bërë presidentja Vjosa Osmani.
Ku nisi të shihej Osmani si adresë për amerikanët, sidomos muajve të fundit?
Është tema e dinarit. Çështja që përplas edhe një herë kryeministrin Albin Kurti, haptazi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e vendosë në pah presidenten Osmani që në fillim, si anë e kundërt e Kurtit në këtë diskutim.
Pavarësisht se edhe presidentja [si krejt Kosova], mendonte që Rregullorja e BQK-së për paratë e gatshme, që implikonte përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ishte ‘e drejtë’, ajo do të nënkuptonte se mos-koordinimi me aleatët, e në veçanti me ShBA-në, ishte veprim i ‘zhdrejtë’.
Thirrja e saj më 18 mars 2024, ishte që të merrej parasysh ‘propozimi amerikan’ për dinarin.
Derisa Presidentja bënte thirrje për koordinim me ShBA-në, kryeministri Albin Kurti në një seri konferencash, do ta mbante diskursin konfrontues me amerikanët dhe evropianët, nën siglën e ‘vendimit të drejtë’ për çështjen e dinarit. Sidoqoftë, me këta të fundit, pra me evropianët, do ta dërgonte kryesorin e tij për dialog, z.Besnik Bislimi, që të diskuonte në Bruksel. Dje, është bërë hera e dytë që z.Bislimi shkoi në Bruksel dhe pas dy javësh, do të shkojë prapë.
A u lëkund raporti Kurti – Osmani pas 13 shkurtit 2024?
Ka qenë data 13 shkurt 2024, kur Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, do të deklaronte se ‘Kosova po rrezikon partneritetin me ShBA-në’.
Dy ditë më vonë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media në oborrin e Ambasdës amerikane në Prishtinë, do ta ritheksonte edhe njëherë se çka nënkuptonte deklarata e O’Brien dhe ajo do të nënkuptonte (për fatin tonë të keq), hiç më pak se ‘rrezikun që Amerika të mos e trajtonte Kosovën më si partnere’.
“Më vjen keq që duhet të tërheq vëmendjen për tonin shumë të qartë dhe të ashpër të Ndihmëssekretarit James O’Brien. Ai kërkoi partneritet me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje dhe shprehur kqeardhje që Qeveria nuk i është përgjigjur kërkesave tona.
Dhe ai e bëri të qartë, se nëse kryeministri nuk na trajton neve si parnterë, kjo vë në pikëpytje se sa partnere mund ta konsiderojmë ne këtë Qeveri”, do të deklaronte Hovenier më 15 shkurt 2024.
Në mars të po këtij viti, do të kishim edhe një deklaratë të një prej akterëve kryesorë amerikan, emisarit Gabriel Escobar, i cili në një konferencë për media me presidenten Osmani, do ta quante këtë të fundit “garantuese kryesore e marrëdhënieve ShBA-Kosovë’.
Para tri ditësh, ‘garantuesja kryesore e raporteve me Amerikën’, presidentja Osmani, do të diskutonte në telefon me Ndihmëssekretarin O’Brien dhe i cili do ta cilësonte bisedën si ‘telefonatë e mirë’.
“Telefonatë e mirë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Diskutuam rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Kosova në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin e pakicës serbe, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e Dialogut të BE-së – për Kosovën kjo përfshin ASM-në.” – tha ai.
Pas gjithë këtyre deklarimeve, ia vlen të veçohet edhe një e dhjetorit të vitit 2023, e që nuk vinte nga amerikanët, po nga vetë Presidentja.
Në një intervistë për, teksa po fliste për ngjarjet që kishin ndodhur në veri të Kosovës gjatë vitit të kaluar, Osmani si kurrë më parë, do të deklaronte se ‘ka lobuar që Kosovës të mos i vendoseshin masa edhe më të rrepta’ (se sa këto që i ka aktualisht).
Në këtë intervistë, znj.Osmani, për herë të parë do të deklaronte se ka ‘punuar 24 orë që të parandalonte masa edhe më të rrepta ndaj shtetit dhe individëve’.
‘Si presidente jam angazhuar që nga ajo ditë që parandaloj shumë masa më të rrepta; partnerët tonë i dinë shumë mirë çfarë masa kanë qenë të planifikuara dhe sa biseda i kemi bërë çdo ditë e çdo natë, nga 24 orë kam punuar që të parandalohen masa shumë më të ashpra edhe ndaj shtetit tonë edhe ndaj individëve.” – pati deklaruar Osmani në këtë intervistë.
Si gjithkujt jashtë studios televizive, edhe gazetarit që intervistonte Osmanin, i bëri përshtypje fjala ‘individ’ dhe do ta pyeste se a po nënkuptonte një individ që është kryeministër i Kosovës, kur po e thoshte këtë fjalë.
“Këtu e keni fjalën për Kurtin, apo jo?”– do ta pyeste gazetari, por presidentja do t’i shmangej emrave konkret në këtë formë:
“Po flas për përpjekje të mia. Kam punuar me ambasadorë këtu, me Departamentin amerikan të Shtetit…në mënyrë që të parandalohen masa shumë më të ashpra në raport me Kosovën, dhe këtë e kemi arritur”, do të deklaronte Osmani.