TË FUNDIT

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të Aleancës në Klinë.

Haradinaj me këtë rast ka thënë se kemi një qeveri që po e dëmton shtetin, qeveri e cila e sipas tij, ka tradhtuar besimin e secilit qytetar, pasi e solli të kundërtën e asaj që ka premtuar.

“Aleanca me partnerët e koalicionit ka ofruar një alternativë qeverisëse për ta bërë të mundur ndryshimin e madh për të cilin ka nevojë Kosova, një qeverisje me vizion për rikthimin e shpresës, për orientimin e vendit drejt prosperitetit e integrimit euro-atlantik. Sot kemi një qeveri që po e dëmton shtetin, qeveri e cila e ka tradhtuar besimin e secilit qytetar, pasi e solli të kundërtën e asaj që ka premtuar, duke e futur vendin në varfëri e qytetarët në zhgënjim të thellë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka prezantuar tre kandidatët për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së nga Klina.

“Në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të Aleancës në Klinë, i urova suksese kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës; Dr. Haxhi Ibishit, Marqe Selmanajt dhe Dr. Hamëz Berishës. Përvoja e pasur e tyre si profesionistë të dëshmuar, pa dyshim se qytetarëve të Klinës i jep shans për përfaqësim dinjitoz në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka siguruar qytetarët e Klinës se Kosova është e vendosur të jetë në NATO krah ShBA-ve.

“Strukturat e Aleancës dhe qytetarët e Klinës i sigurova se jemi të vendosur që Kosovën ta rreshtojmë si anëtare të NATO-s, udhëhequr nga aleati i përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Haradinaj.

Share: