TË FUNDIT

Votimi i 23 prillit supozohej të ishte hapi i fundit për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, që aq shumë i kërkuan Lista Serbe dhe qytetarët serbë atje, mirëpo këta të fundit e bojkotuan. Kjo pritet t’ia mundësojë kryetarëve shqiptarë që ta çojnë deri në fund mandatin e tyre, të cilin e morën fiks një vit më parë.

Gazeta Express

Serbët nuk dolën për të votuar për shkarkimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore. Kusht që votimi të rezultonte i suksesshëm ishte pjesëmarrja minimale prej 50% + 1 person dhe që të gjitha votat të ishin “pro” shkarkimit të Erden Atiqit, Lulzim Hetemit, Izmir Zeqirit e Ilir Pecit.

Të drejtën për votë, të dielën e ushtruan 265 persona, derisa KQZ kishte njoftuar se në katër komunat veriore 46 mijë e 556 persona janë me të drejtë vote.

Dyshimet se ky votim do të dështojë u ngjallën kur Lista Serbe tha se nuk do të marrin pjesë dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bëjnë të njëjtën gjë. Dështimi u konfirmua të dielën, kur edhe KQZ tha se nuk është arritur 50 përqindshi i nevojshëm.

“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, tha zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, të dielën pas mbylljet së vendvotimeve.

Hapi që i parapriu këtij votimit ishte mbledhja e nënshkrimeve për peticion. Qytetarët serbë në secilën komunë veç e veç kishin mbledhur nënshkrimet e 20 për qind të qytetarëve në listë votuese.

Udhëzimi Administrativ që u hartua verën e kaluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal parasheh që nëse nuk arrihet 50%+1 votë për largimin e kryetarëve, një nismë e re nuk mund të merret pa u bërë 12 muaj.

Kjo pritet t’ia mundësojë Atiqit, Hetemit, Zeqirit e Pecit që ta përfundojnë mandatin, pasi që 2025-ta është vit i zgjedhjeve të rregullta lokale.

Kështu ka thënë Eugen Cakollit nga KDI pas lajmërimit të Listës Serbe që s’do të marrin pjesë në votim.

“E duke ditur që 2025-ta është vit i zgjedhjeve të rregullta lokale, të cilat do të duhej të shpalleshin dikur në tre-mujorin e dytë të vitit të ardhshëm, kjo i bie që s’do të mund të kemi më zgjedhje të jashtëzakonshme në ato komuna – të paktën jo si rezultat i shkarkimit të kryetarëve përmes peticionit. Prandaj, dështimi eventual i mini-referendumit për largimin e kryetarëve të komunave veriore, do t’ua “garantojë” praktikisht kryetarëve aktualë përmbylljen e mandatin e rregullt, deri në zgjedhjet e ardhshme, përpos në rast të dorëheqjeve.”

Pse e bojkotoi Lista Serbe votimin në Veri?

Të dielën e 7 prillit, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, doli në një konferencë për media dhe dha lajmin për mospjesëmarrjen në votimin e 21 prillit.

Ai e konsideroi “jolegjitim” këtë votim, pasi sipas tij kryeministri Kurti “bëri gjithçka që referendumi të mos ketë sukses”.

Elek u ankua edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave në vendvotime dhe tha se janë parashikuar procedura të pamundura për votim për largimin e kryetarëve më 21 prill.

Pasi dështoi votimi, Lista Serbe tha se ishin të gatshëm të ndërrojnë kryetarët, por nuk donin të bëheshin “pjesë e lojës së regjimit në Prishtinë”.

“Duam të përsërisim qartë se ishim më se të gatshëm të marrim pjesë në këtë proces për të parë prapavijën dhe për të zëvendësuar këta kryetarë fallco në komunat tona, por nuk donim të luanim lojëra të dirigjuara nga regjimi në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e 21 prillit.

Lista Serbe ka thënë se “dita e sotme [21 prill] tregoi se si duket demokracia nën Albin Kurtin, me armë të gjatë, forca speciale dhe automjete të blinduara në qendrat e votimit, kamera që incizojnë votuesit”.

Reagimet e ndërkombëtarëve për dështimin e votimit

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka shprehur keqardhje që Lista Serbe dhe akterët tjerë politikë serbë të Kosovës nuk e rishqyrtuan vendimin për mospjesëmarrje në votim. Të dielën, ambasada e SHBA-së në një përgjigje për Gazetën Express, tha se katër kryetarët e zgjedhur mbesin në detyrë.

“Jemi të vetëdijshëm se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u bëri thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote. Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët kosovarë të zgjedhjeve për të lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të regjistruar në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Ne kuptojmë nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit se ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve. Prandaj nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e bashkive. Kryetarët aktualë të komunave janë zgjedhur dhe mbesin në pozita sipas kornizës ligjore të Kosovës”, përfundon përgjigja.

Keqardhje për mospjesëmarrjen e serbëve në votim ka shprehur edhe zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se “ata që bënë thirrje për bojkot morën pikërisht atë që kërkuan”.

“Bojkoti i kërkuar nga aktorët politikë si Lista Srpska është, siç e kam thënë më parë, për keqardhje dhe shkatërrues kur bëhet fjalë për kulturën demokratike, zgjidhjen e problemeve dhe kujdesin për jetën e përditshme aktuale të qytetarëve”, tha Rohde në një përgjigje për Klanin.

Votimi në Veri u përmend edhe dje në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh tha se kjo “e përgatit skenën për përzgjatjen e një situate fragjile dhe të pazgjidhur”.

“Kjo fatkeqësisht tash e përgatit skenën për përzgjatjen e një situate fragjile dhe të pazgjidhur. Nga pikëpamja jonë, do të vazhdojmë ta përkrahim dialogun për të gjetur një zgjidhje konsensuale të çështjeve që kanë mbetur pa u zgjidhur”, tha Ziadeh.

Një thirrje për zgjedhje të reja e bëri përfaqësuesi i Francës në OKB kur foli dje në seancën e Këshillit të Sigurimit. Ai tha po ashtu se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3% të votave do të ishte alternativa më e shpejtë.

“Zgjedhjet duhet të organizohen shpejt në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve, për të zgjedhur kryetarët e rinj. Në këtë pikë, Franca kujton se tërheqja e kryebashkiakëve të zgjedhur me vetëm 3% të votave të popullsisë së regjistruar do të ishte alternativa më e shpejtë për rivendosjen e demokracisë përfaqësuese në katër bashkitë veriore, si dhe një gjest de-përshkallëzimi” theksoi francezi.

Pas mbajtjes së votimit, Kosova kërkon nga BE largimin e masave

Pas dështimit të votimit, kryeministri Kurti ka thënë se rezultatet treguar se nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kreytarët aktualë dhe se Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo 50.

“Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%.”

Ai ka thënë se mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktualë dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter për largimin e masave. Kështu, ai ka shtuar se masat duhet të hiqen sa më parë.

“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë.”

Ndërkaq, presidentja Osmani tha se qytetarët në masë të madhe nuk e shfytëzuan për shkak të presionit nga Beogradi përmes Listës Serbe.

Ajo ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e shkeli fjalën që ua ka dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

“Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”.

Edhe Osmani ka kërkuar heqjen e masave.

“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka shkruar Osmani.

Për këtë, BE ka thënë se Këshilli do të diskutojë për masat por Stano nuk ka përmendur afate kohore kur do të zhvillohen këto diskutime.

“Sa u përket masave, në linjë me konkluzat e 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë për masat e BE-së, të bazuara në një raport të Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të bllokut evropian”, ka thënë Stano për REL’in.

Share: