TË FUNDIT

Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar të hetojë rastin për faljen e borxheve të kompanive që merren me ambalazhin e ujit (prodhuesit e ujit dhe pijeve), pas raportimeve të Albanian Post, ku dëshmohej se në forma jo ligjore dhe me metodat të shpikura Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e udhëhequr nga Liburn Aliu ua ka shlyer borxhet milionëshe dhjetëra kompanive.

Sipas përllogaritjeve të para, nga dokumentacioni i siguruar nga Albanian Post, del se bëhet fjalë për rreth 90 milionë euro.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka treguar për Albanian Post se ky rast tashmë është në trajtim nga Prokuroria Speciale.

“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se gjendet në trajtim në Prokurorinë Speciale”, ka shkruar ajo përmes e-mail-it.

Kozmaqi ka shtuar se “për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund të japim informacione tjera”.

Përveç Prokurorisë Speciale, për këtë rast është angazhuar edhe Kuvendi i Kosovës ku është propozuar të themelohet një komision parlamentar për ta hetuar këtë çështje dhe të enjten pritet të votohet përbërja e komisionit në Kuvend.

Share: