TË FUNDIT

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka gënjyer publikisht kur ka deklaruar se Kosova do të jetë ndër shtetet që më së shpejti është anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press, kryediplomatja ndërsa ka komentuar mundësinë e humbur për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare theksoi se “edhe sikur në majin e ardhshëm të anëtarësohemi do të jemi ndër shtetet që më së shpejti është anëtarësuar në Këshillin e Evropës nga të gjitha shtetet që janë anëtarësuar pas viteve të 90-ta”.

Kjo deklaratë e Gërvallës është plotësisht e pavërtetë.

Nëpërmjet një kërkimi të thjeshtë në internet mund të konstatohet se Mali i Zi, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut, janë anëtarësuar në Këshillin e Evropës shumë më shpejtë sesa Kosova – e cila nuk arriti të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave, ku do të votohej përfundimisht për pranimin ose jo të saj.

Mali i Zi ishte bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës për vetëm 11 muaj.

Podgorica zyrtare kishte dorëzuar kërkesën e saj për anëtarësim më 6 qershor të vitit 2006. Ajo u bë anëtare e plotë më 11 maj të vitit 2007.

Për një kohë relativisht të shkurtër edhe Sllovenia ishte bërë anëtare e plotë e kësaj organizate.

Lubjana zyrtare kishte aplikuar për anëtarësim më 29 janar të vitit 1992 dhe vetëm pas 1 viti e 4 muaji – 14 maj 1993 – kishte fituar statusin e anëtares së plotë në KiE.

Ndërkohë për 2 vjet e 5 muaj Maqedonia e Veriut kishte fituar të drejtën për të qenë anëtare e plotë e KiE-së.

Shkupi zyrtar kishte aplikuar për anëtarësim më 25 qershor të vitit 1993, anëtarësimi i plotë i tij kishte përfunduar me 9 nëntor të vitit 1995.

Kosova që nga 12 maji i vitit 2022 është duke punuar për t’u anëtarësuar në KiE.

Ajo humbi shansin që të jetë anëtare e plotë e kësaj organizate në 2 vjetorin e aplikimit të saj në këtë organizatë ndërkombëtare.

Më 17 maj të këtij viti Komiteti i Ministrave – organi vendimmarrës i Këshillit të Evropës – s’e futi në agjendë shqyrtimin e vendimit të Asamblesë Parlamentare për pranimin e Kosovës në KiE.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Këtë mos-shqyrtim të anëtarësimit, kryediplomatja kosovare e arsyetoi me faktin se ekzekutivi nuk e kishte si objektiv anëtarësimin e plotë gjatë këtij viti në KiE.

Sipas saj objektivi i Qeverisë ka qenë që gjatë këtij viti të kalohet vetëm faza e dytë e anëtarësimit drejtë Këshillit të Evropës – pra votimin pro në Asamblenë Parlamentare e jo në Komitetin e Ministrave.

“Ne e kemi synuar [anëtarësimin e plotë], mirëpo nuk është se ka qenë në objektivat e shkruara tonat, objektivi ynë ka qenë kalimi i kërkesës, pra marrja e votës së Asamblesë Parlamentare”, deklaroi ajo në një intervistë për Kosova Press.

Marrë për bazë faktin se Komiteti i Ministrave mblidhet njëherë një vit, atëherë del që Kosova s’do të jetë “ndër shtetet që më së shpejti është anëtarësuar”, të paktën jo para Malit të Zi, Sllovenisë e Maqedonisë së Veriut./Albanian Post/

Share: