TË FUNDIT

Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës me dërgim apo pa dërgim(?) të draft-Statutit të Asociacionit për rishikim kushtetues: kjo del të jetë çështja. 

Nacionale mëson nga burime diplomatike se qëndrimi i Gjermanisë vis-a-vis votimit final në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës – që praktikisht i bie në nivel qeverish – do të varet nga procedimi ose jo i draft-Statutit të Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian të ofruar qeverisë kosovare në fund të tetorit të vitit të kaluar.

Jo zbatim i plotë i Asociacionit”, vëren burimi, por “progres në proces…dërgimi i propozimit të BE-së për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”.

Madje në atë se qëndrimi gjerman për mbështetjen me votë në instancën e fundit vendimarrëse të KiE-së ka të bëjë me marrjen e këtij hapi të parë drejt Asociacionit, bashkëbiseduesi ynë na thotë se ka qenë kështu ka herë.

Progresi në lidhje me ASM-në ka qenë kërkesë qëmoti për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe është komunikuar vazhdimisht (nga gjermanët)”.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, në një intervistë për Nacionale muaj më parë – para botimit të raportit të Dora Bakoyanis – në fakt e kishte artikuluar thuajse njësoj.

Rohde na pati thënë se askush nuk i kërkon zbatimin në plotni të Asociaconit, thjesht të bëjnë hapin e parë. “Sepse nuk ka nevojë të zbatoni plotësisht Asociacionin dhe sigurisht që jo. Sepse krejt Marrëveshja e Brukselit është e ndërtuar në mënyrën që Serbia bën disa hapa, ndërsa Kosova e ka kryesisht Asociacionin”, na pati thënë ai.

Megjithatë, Nacionale ka dërguar pyetje ambasadës gjermane për të njëjtën çështje në fjalë, se a do të jetë ose jo miratimi i draft-Statutit kusht që Gjermania të votojë për-ose-kundër Kosovës në KiE, por të njëjtët nuk janë përgjigjur për tashmë më shumë se tri-ditë.

Në prapaskena, po ashtu flitet edhe për qëndrimin e Francës si kundër votës finale në Këshill të Ministrave pa u proceduar për rishikim kushtetues draft-Statuti i Asociacionit. Një burim tjetër i mirëinformuar në qarqet diplomatike na tha madje duke e marrë krejtësisht për të mirëqenë se “Franca është kundër pa ASM-në”. 

Madje Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, ditë më parë pas takimit që patën me shefin e delegacionit francez në Asamblenë Parlamentare të KiE-së pretenduan përmes një shkrese zyrtare se delegacioni francez “e kupton pozicionin e Beogradit” në këtë çështje.

Ish-inspektori në AKI, Burim Ramadani, duke folur ditë më parë tha publikisht se QUINT-i do t’ia kërkojë qeverisë kosovare miratimin e draft-Statutit si kusht për votimin final në KiE.

Pjesa që mund të ndodh dhe sipas gjitha gjasave gjatë kësaj jave është që QUNT-i do t`i paraqes Qeverisë së Kosovës kërkesën se procedimi i Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese është parakusht për votat në Këshill të Evropës. Kjo sipas gjitha gjasave do të mund të ndodh gjatë kësaj jave”, ka thënë Ramadani në emisionin “Pressing”.

Miratimi i draft-Statutit është edhe implicit pjesë e raportit të Bakoyanis

Në raportin (Opinionin) e Bakoyanis ajo e shkruan prerazi se vetë aplikimi i Kosovës, përkatësisht vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare (BE)”.

E ky proces politik, thotë Bakoyanis, është Marrëveshja e Bruksel/Ohrit; “rëndësia e së cilës nuk mund të theksohet sa duhet” teksa i referohet Nenit 7 “të vetëmeanxhimit” për komunitetin serb krahas Nenit 4 nga i cili është argumentuar procedimi i aplikacionit për këtë anëtarësim në rend të parë.

Çka është më goditëse, Bakoyanis në pikën 39 ku ajo u drejtohet në raport Këshillit të Ministrave, përkatësisht vendimmarrësve finalë – ajo u drejtohet atyre që progresi drejt themelimit të Asociacionit “duhet të qëndrojë dukshëm lart në konsiderimim e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

Në këtë lexim, duke e dhënë (mos)suksesin për anëtarësim në KiE të lidhur me (mos)suksesin në zbatim të Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit, pikturohet qartë që Asociacioni veçse është ndjeshëm kusht kur raporti përfundimisht të hedhet në votim në Këshillin e Ministrave.

Takimi me QUINT-in

Pesë aleatët kryesorë të shtetit të Kosovës (QUINT-i) mbrëmë takuan tre krerët e shtetit kosovar, takim për të cilën u tha fare pak në mos asgjë; përveç që temë ishte “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës”. Për këtë, përveç një fotografie nga Presidenca, s’janë deklaruar as Zyra e Kryeministrit dhe as nga zyra e Kryetarit të Kuvendit. Zero.

Ky takim erdhi në dritën e përfoljes edhe në prapaskena ditë-e-më-shumë që miratimi i draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe do të shënojë “litmus test”-in e përmbushjes së zotimeve të dhëna me shkrim nga tri institucionet më të larta të vendit: Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

Dhe kjo në periudhën prej 15 prill pasi të kalojë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së e deri në votimdin final të Këshillti të Ministrave të KiE-së më 16 maj, që është instanca e fundit vendimmarrëse dhe praktikisht në nivel qeverish.

Bashkimi Evropian si organizatë njëzet e shtatë shtetëshe, në një përgjigje dje për Nacionalen, na tha se shtetet anëtare më vete vendosin se a marrin si kusht ose jo miratimin e draft-Statutit të Asociacionit; por se si BE, sa i përket Asociacionin qëndrimin e kanë të kahershëm se përbën obligim ndërkombëtar për Kosovën.

“U takon anëtarëve të Këshillit të Evropës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj”, ka thënë Lachana, duke shtuar se “pavarësisht nga diskutimet e KiE, BE-ja vazhdon të presë që të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së 2023… kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që është mënyra më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb të Kosovës”.

Amerikanët ka qenë më të hapurit se kjo – dërgimi i draft-Statutit për rishikim kushtetues – do të përbëjë kusht për anëtarësimin në KiE; me ambasadorin amerikan në Beograd i cili i vendos në ekuacion mes Nenit 4 dhe 7 të Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit.

Ndërkaq Gabriel Escobar u shpreh se “janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane…(i dyti) është Asociacioni”.

Për t’i qëndruar këtij shtegu paralalel – mes KiE-së dhe procedimit tutje të Asociacionit – ishte edhe Jim O’Brien, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, i cili në një telefonatë me Osmanin kërkoi Asociacionin ndërsa Osmani u shpreh se biseduan për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Share: