Donika Gërvalla ka reaguar me mllef pas dështimit të katërt për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Kryetarja e Guxo e ka quajtur bllokadën si fëmijërore ndërsa i ka bërë thirrje opozitës për të votuar kandidatin të mërkurën.
“Qytetari ka folur qartë më 9 shkurt, por opozita vazhdon bllokimin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Një gjë është e qartë: Kryetarin e Kuvendit e propozon koalicioni fitues, askush tjetër. Në rastin konkret, zgjedhjet i ka fituar koalicioni LVV/GUXO/Alternativa, i cili ka fituar më shumë vota se numri dy dhe tre së bashku.
Partia dy dhe tre ka të drejtë të propozojë nga një nënkryetar, sipas përzgjedhjes dhe preferencës së tyre.
Institucionalista, ku jeni? Si ia shpjegoni votuesit tuaj këtë bllokim të pakuptimtë dhe të papranueshëm të institucioneve?
Meqë thoni që nuk i paskemi numrat për formim të qeverisë, pse nuk silleni institucionalisht dhe nuk mundësoni kalimin deri në atë pikë? Apo jeni ende të zënë me diskutimet se kush kujt ia vodhi votat me postë?
Të mërkurën është shansi i radhës për të hequr dorë nga bllokadat fëmijërore dhe për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit të Republikës” shkruan Gërvalla në reagim.