TË FUNDIT

Vatikani njoftoi të hënën se ka vdekur Papa Françesku, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai ishte në moshën 88-vjeçare dhe kohëve të fundit kishte probleme shëndetësore.

“Të dashur vëllezër e motra, me pikëllim të thellë duhet ta njoftoj vdekjen e babait tonë të shenjtë Françesku” – njoftoi kardinali Kevin Farrell në televizionin e Vatikanit.

Papa Françesku, emri i plotë i të cilit është Jorge Mario Bergoglio, ishte zgjedhur papë më 13 mars 2013, duke befasuar shumë vëzhgues të Kishës, të cilët e shihnin atë si pa gjasa për këtë pozitë.

Ai u mundua të paraqiste thjeshtësi në rolin e rëndësishëm dhe kurrë nuk i mori në pronësi banesat me zbukurime në Pallatin Apostolik, të cilët ishin shfrytëzuar nga paraardhësit e tij, duke thënë se parapëlqente të jetonte në një hapësirë komuniteti për “shëndetin psikologjik”.

Françesku trashëgoi një Kishë që ishte nën sulme për shkak të një skandali me abuzim seksual të fëmijëve dhe të goditur nga lufta e brendshme në burokracinë e Vatikanit. Ishte zgjedhur papë me mandate të qartë për ta rikthyer rendin.

Sidoqoftë, me kalimin e kohës, ai u ballafaqua me kritika të ashpra nga konservatorët, të cilët e akuzonin për nënvlerësimin e traditave të çmuara. Ai gjithashtu tërhoqi kritika nga progresistët, të cilët e kishin përshtypjen se Françesku duhej të bënte shumë më shumë për ta riformësuar Kishën Katolike.

Share: