Prishtinë – Vetëm një ditë para seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Kuvendit, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza ka njoftuar se takimi u zhvillua gjatë një dreke pune, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën.
“Një drekë pune me ushtruesen e detyrës së Ambasadores së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati. Diskutuam për zhvillimet aktuale politike dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës gjatë tri dekadave të fundit,” ka shkruar Hamza.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur këtë raport si një bekim për vendin: “Kosova është e bekuar me miqësinë dhe marrëdhëniet e veçanta që ka me SHBA-në.”
Takimi vjen në një moment vendimtar për formimin e institucioneve të reja të vendit dhe vlerësohet si një sinjal i angazhimit të PDK-së në komunikimin me partnerët ndërkombëtarë.