TË FUNDIT

Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i është përgjigjur reagimit të Qeverisë së Kosovës për shpronësimet në veri. Qeveria reagoi pasi shtetet e QUINT-it dolën kundër shpronësimeve dhe akuzuan qeverinë që nuk ka respektuar ligjin. 

Rohde në një shkrim të para një ditë në rrjetin social “X”, ka thënë se QUINT-i nuk është për të ndëshkuar, por për të mbështetur.

Tutje, ambasadori gjerman ka cituar një paragraf të juristëve eminentë të Këshillit të Evropës, në të cilin tregohet se shpronësimet nuk ishin në përputhje me ligjinin.

Pas reagimit të qeverisë ndaj deklaratës së QUINT/BE/OSBE-së për shpronësimin, më lejoni të citoj nga raporti i Juristëve Eminentë të KiE-së: ‘Kjo mënyrë e procedimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe ka të ngjarë të dëmtojë më tej besimin midis komunitetit serb dhe institucioneve qeveritare” – ka shkruar Rohde në “X”.

Ndërkohë, Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, kishin reaguar për shpronësimin e tokave në komunat në veri të Kosovës.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje për vendimin për shpronësimin e pronave në veri të vendit.

Disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke treguar se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar.” – thuhet në reagimin e tyre.

Më tej, këto vende janë ankuar se Qeveria e Kosovës nuk ka pritur të gjitha procedurat e hapura gjyqësore para vendimit.

E pas këtij reagimi, Qeveria e Kosovës doli me një reagim, duke shprehur keqardhje për deklaratën e vendeve të QUINT-it.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për Deklaratën e shteteve të QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së lidhur me vendimin e datës 30 maj mbi shpronësimin e pronës së paluajtshme në disa komuna në veri të Republikës së Kosovës. Deklarata në fjalë, konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente.” – thuhej në reagimin e qeverisë. 

Qeveria e Kosovës, iu referua raportit të dy juristëve të Këshillit të Evropës si dhe jurisprudencës së Strasburgut.

Ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës. Ne besojmë që të gjithë pajtohen që para ligjit të gjitha rajonet e Kosovës duhet të trajtohen njëjtë dhe në mënyrë të barabartë”, vazhduan ata.

Gjithashtu, shprehim shqetësimin tonë që deklarata i referohet shpronësimit në disa komuna të Kosovës si ‘komuna me shumicë serbe’. Komunat në Kosovë kanë emra të veçantë e përkatës dhe qeveria nuk u referohet si komuna me shumicë shqiptare, serbe, turke etj. pasi kjo nuk është në përputhje me karakterin multietnik të kushtetutës së Kosovës. Shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve” – thuhet ndër të tjera në reagimin e Qeverisë.

Kujtojmë se që nga fillimi procesi i shpronësimeve i disa pronave në veri të vendit kishte nxitur reagimin e ndërkombëtarëve.

Share: